LAJME

Tërmkolli-Osmanit: Nuk mund të jesh kundër Thaçit e pro Albinit, ata të dy e mirëmbajnë njëri tjetrin

Milihate Tërmkolli, ish-deputetja e LDK’së, ka reaguar ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani, e cila dje është shprehur hapur se ka me raporte të mira me Kurtin dhe se këtë e dinë edh e zogjtë e malit.

Tërmkolli ka thënë se nuk mund të jesh kundër presidentit Thaçi e ta përkrahësh Kurtin përderisa ata të dy e mirëmbajnë njëri tjetrin në politikë për më se një dekadë.

“Nuk mund të jesh kundër Hashim Thaçit e me Kurtin përderisa ata të dy e mirëmbajnë njëri tjetrin në politikë për më se një dekadë. Ta bësh LDK-në “mashë” të Albinit është krejt e njëjta gjë si ta bësh “mashë” të Hashimit. Lavdërimi në këtë rast është turpi i dyfishtë”, është shprehur Tërmkolli.

Ajo ka thënë se është e pamoralshme që të punosh për interesa të Kurtit e kundër LDK’së, përderisa je zyrtare e lartë e LDK’së

“Si zyrtare e lartë e LDK-së, të punosh për interesa të Kurtit e kundër LDK-së është e pamoralshme dhe e dëmshme jo vetëm politikisht. Afërsia me Albin Kurtin dhe konsistenca kundër LDK-së, e dinë edhe “zogjtë e malit” se prodhon konsistencë të dëmshme për interesat e Kosovës dhe të LDK-së. Politikisht e ideologjikisht, LDK-ja është në njërën anë ndërsa në anën tjetër është PDK-ja dhe derivatet e saj përfshirë edhe VV-në”, ka thënë ndër të tjera Tërmkolli.

Statusi i plotë:

Kur luan lojën e Kurtit!

Duke iu referuar deklaratave e veprimeve të Kryetares së Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani, Nënkryetare e LDK-së, mund të paraqiten disa konkludime të cilat sjellin edhe shqetësime për zhvillimet politike në vend, nisur nga postet publike që ajo bartë.

Nuk mund të jesh kundër Hashim Thaçit e me Kurtin përderisa ata të dy e mirëmbajnë njëri tjetrin në politikë për më se një dekadë. Ta bësh LDK-në “mashë” të Albinit është krejt e njëjta gjë si ta bësh “mashë” të Hashimit. Lavdërimi në këtë rast është turpi i dyfishtë.

Si zyrtare e lartë e LDK-së, të punosh për interesa të Kurtit e kundër LDK-së është e pamoralshme dhe e dëmshme jo vetëm politikisht. Afërsia me Albin Kurtin dhe konsistenca kundër LDK-së, e dinë edhe “zogjtë e malit” se prodhon konsistencë të dëmshme për interesat e Kosovës dhe të LDK-së. Politikisht e ideologjikisht, LDK-ja është në njërën anë ndërsa në anën tjetër është PDK-ja dhe derivatet e saj përfshirë edhe VV-në.

Të refuzosh SHBA-të në dialogun e Kosovës me Serbinë dhe rolin e tyre prijës në këtë proces, refuzim që mund t’ia hapë rrugën edhe ndërhyrjes së Rusisë dhe deklaratat kundër përfshirjes së Rusisë janë veç deklarata shterpë.

Të mbash e kultivosh të vetmet lidhje të jashtme me të majtën në Evropë dhe me Sorosin është jashtë orientimit e brumit politik e kombëtar të LDK-së dhe me dëme për Kosovën.

Të hedhësh dyshime në vërtetësinë e dokumenteve të Kuvendit në stilin e Albinit, pa fakte, është e rrezikshme për autoritetin e Kuvendit si institucioni më i lartë dhe më i rëndësishëm i sovranitetit të popullit.

Populizmi, demagogjia, hipokrizia e marketingu politik për interesa personale me mendësi jo shtetërore e jo institucionale, të shprehura në veçanti nga përfaqësuesit e institucioneve më të larta shtetërore, Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri apo Presidenti tërheqin prapa pasoja të mëdha për shtetin.

Është koha për të punuar të gjithë bashkë për shtetin tonë. Serbia na sheh si shqiptarë, pavarësisht partive politike e ideologjive partiake ndërsa bota na sheh e na vlerëson si Kosovë, me aftësi shtetërore ose mangësi për të ecur përpara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *