LAJME

Sot takohen presidentët e Rusisë e Ukrainës, synohet zgjidhja e konfliktit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të takohen sot në Paris për t’i zhvilluar bisedimet e shumëpritura rreth zgjidhjes së konfliktit ushtarak në lindje të Ukrainës. Nga viti 2014,  në këtë konflikt janë vrarë më shumë se 13 mijë njerëz.

Bisedimet mes dy liderëve të shteteve të Evropës Lindore do të ndërmjetësohen nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Bisedimet do të zhvillohen sipas të ashtuquajturit format normandez.

Kjo është hera e parë që nga viti 2016 që presidentët e Ukrainës dhe Rusisë takohen mes vete. Për presidentin e Ukrainës, i cili erdhi në pushtet në prill të këtij viti, do të jetë hera e parë që takohet me liderin e shtetit fqinj.

Moska e ka mohuar përfshirjen e drejtpërdrejtë në konfliktin e Ukrainës lindore mes separatistëve dhe ushtrisë ukrainase, ndonëse ka ofruar ndihma ushtarake, politike dhe ekonomike për separatistët.

Megjithatë, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve vlerësoi në nëntor të vitit 2016 se lufta në pjesën lindore të Ukrainës është konflikt i armatosur ndërkombëtar mes Ukrainës dhe Federatës Ruse.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha javën e kaluar në Romë se Moska pret që në këto bisedime të arrihen marrëveshje shtesë për eliminimin e konfliktit.

Rruga drejt këtyre bisedimeve u shtrua pasi të dyja palët e konfliktit u pajtuan që të tërhiqen nga tri pika të frontit, shkruan “Free Europe”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *