LAJME

Shqipëria me masa të rrepta, ndalohet qarkullimi i automjeteve në disa qytete për shkak të coronavirusit

Qarkullimi i automjeteve të transportit urban, por edhe ato private që prej orës 06:00 të ditës së sotme deri të dielën në mesnatë janë të ndaluara të lëvizin në Tiranë, Durrës dhe disa qarqe tjera, si masa për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.

Tirana nuk është zgjuar kurrë kaq e qetë sa sot. Rrugët e zbrazura pa makina dhe njerëz, ndërsa të gjithë po respektojnë ‘shtetrrethimin’, si masa e vendosur nga qeveria për parandalimin e përhapjes së coronavirusit, raporton Top Channel.

Po ashtu Policia në Vlorë kanë ushtruar kontroll atyre pak automjeteve që qarkullojnë në qytet.

Këto janë masat e ndërmarra nga Qeveria e Shqipërisë:

Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke e konsideruar si domosdoshmëri marrjen e masave shtesë për të mbrojtur çdo qytetar, çdo familje dhe vetë Shqipërinë, nga përshkallëzimi agresiv i sulmit të COVID-19, mbi ne dhe të afërmit tanë, të mos lejohet qarkullimi i mjeteve si më poshtë:

Nga dita e premte, datë 13.03.2020, ora 06:00, deri të dielën, datë 15.03.2020, ora 00:00, të mos lejohet të qarkullojnë automjete të transportit ndërurban, automjetet private drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas, nga Tirana dhe Durrësi, në drejtim të zonave të tjera të vendit.

Nga dita e premte, datë 13.03.2020, ora 06:00, deri të dielën, datë 15.03.2020, ora 00:00, të mos lejohet qarkullimi i automjeteve private brenda në qytetin e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës.

Qarkullimi i automjeteve në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat dhe automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror (personeli shëndetësor dhe social dhe shërbimet mbështetëse në strukturat e kujdesit shëndetësor, publike dhe jopublike, personeli i farmacive publike dhe jopublike, personeli që ofron shërbimet e furnizimit me ushqime, medikamente, shërbimet e kateringut, shërbimet postare, zjarrfikëse, funerale, energjisë, ujësjellës kanalizime, shërbimet private të ruajtjes së sigurisë së objekteve, shërbimet aeroportuale dhe personeli i linjave ajrore), duke dërguar pranë adresave të email-it: simon.mice@asp.gov.al, mitat.tola@asp.gov.al, fetah.guri@asp.gov.al dhe skender.ismaili@asp.gov.al, listën e personave të autorizuar dhe duke i paraqitur punonjësve të Policisë një kopje të këtij email-i.

Qarkullimi i automjeteve të personave me sëmundje kronike që kanë të planifikuara terapi mjekimi në spitale, duke provuar përmes një dokumenti nevojën për trajtimin e tyre, do të jetë i hapur.

Do të lejohen të qarkullojnë automjete të personelit të medias, duke paraqitur dokumentin e tyre të punësimit ose kartën e gazetarit.

Për qarkullimin vajtje – ardhje nga aeroporti i Rinasit, drejtuesi i automjetit duhet t’i tregojë punonjësit të policisë, biletat e fluturimit të personave që do të largohen apo foton e biletave të personave që do të mbërrijnë.

Marrja në automjetin e punës, e personave të familjes apo personave të tjerë që s’kanë lidhje me detyrën shtetërore është rreptësishtë e ndaluar dhe do të ndëshkohet me sanksione të rënda të parashikuara në legjislacionin përkatës.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë këto kufizime me rigorozitet, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke kontribuuar të gjithë për sigurinë e jetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *