EKONOMI

SHBA, rritet optimizmi për rihapjen e ekonomisë

Pothuajse të 50 shtetet e SHBA ishin të hënën në këtë apo atë fazë të rihapjes, pasi autoritetet lehtësuan kufizimet e imponuara për frenimin e koronavirusit. Edhe tregjet e aksioneve u rritën, duke pasqyruar optimizmin se zhvillimi i një vaksine të re nuk është larg.

Atmosfera optimiste u inkurajua edhe nga komentet e kreut të Rezervës Federale Jerome Powell gjatë fundjavës për një rimëkëmbje ekonomike graduale si dhe nga pohimi i tij se një stimul i ri monetar është gati nëse kërkohet.

Qasja për rihapjen e ekonomisë dhe zbutjen e kufizimeve të distancimit social ka qenë e ndryshme në shtetet e ndryshme amerikane dhe është shoqëruar me debate politike. Në Shtetet e Bashkuara janë afro 1.5 milion njerëz të infektuar dhe mbi 90,000 kanë vdekur nga koronavirusi.

Megjithë rigjallërimin gradualisht të bizneseve dhe të jetës shoqërore, vetëm 14 shtete i plotësojnë kriteret e qeverisë federale për u heqjen e masave kufizuese, sipas një analize të bërë nga agjencia e lajmeve Reuters.

Industria amerikane e automjeteve u rikthye të hënën në fazën e parë të normalitetit, me rihapjen e disa uzinave të montimit. Ky sektor punëson afro 1 milion njerëz.

Rihapja e uzinave të makinave do të jetë një test që do të vëzhgohet nga afër për të parë nëse punëtorët në një gamë të gjerë industrish amerikane mund të rikthehen në fabrika në një numër të madh pa rritje të infeksioneve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *