LAJME

SHBA e konsideron të pamjaftueshëm vendimin e Kurtit për taksën

Qeveria amerikane i ka konsideruar të pamjaftueshme masat e marra nga Qeveria e Kosovës për heqje të tarifës 100 për qind në lëndën e parë në prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Një burim brenda Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ka thënë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se vendimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti shihen si mënyrë për të blerë kohë.

“Kjo nuk është e mjaftueshme për SHBA-në. Pse të presim? Kjo duket sikur mënyrë për të blerë kohë. Qëndrimi ynë është se tarifat duhet të largohen plotësisht sepse ato dëmtojnë ekonominë e Kosovës”, ka thënë ky zyrtar amerikan.

Kjo deklaratë vjen pas vendimit të marrë të premten nga Qeveria e Kosovës për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në Facebook se “u votua me 10 vota për dhe 2 abstenime vendimi për të liruar nga tarifa 100% importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina”.

Kuri mes tjerash ka thënë se deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerrë një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100%.

Taksa 100 për qind ishte vënë nga Qeveria e kaluar e Kosovës në nëntor të vitit 2018.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kundërshtuar vazhdimisht zbatimin e kësaj mase.

Së fundmi, disa senatorë amerikanë kanë thënë që nëse Kosova nuk heq tarifën dhe nuk është e përkushtuar plotësisht për paqe, SHBA-ja duhet të shqyrtojë mundësinë e tërheqjes së trupave nga Kosova.

Ky qëndrim është përkrahur edhe nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Taksa është përmendur si arsyetim edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës për prishje të koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Përveç pakënaqësive për shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk pajtohet me qëndrimin e kryeministrit Kurti për heqje graduale të kësaj mase.

Për këtë arsye, Mustafa ka përmendur nisjen e procedurave për mocion të mosbesimit kundër qeverisë Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *