SPORT

Setien për të ardhmen e Lautaros: Kush s’do të donte të luante me Messin?

Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, e ka lavdëruar yllin e Interit, Lautaro Martinez, i cili po vazhdon të spekulohet për një transferim në Camp Nou, ndërsa shtoi se prania e Lionel Messit i nxit lojtarët e tjerë ta zgjedhin Barcelonën.

Qendërsulmuesi 22-vjeçar është bërë yll në Serie A gjatë këtij sezoni, duke i shënuar 16 gola në të gjitha garat, pasi kishte dështuar të arrinte numër dyshifror të golave të shënuara gjatë sezonit të kaluar, transmeton Gazeta Express.

Zhvillimi i shpejtë i Lautaros ka bërë që ai ta tërheqë vëmendjen e shumë klubeve të mëdha të Evropës. Mediat e mëdha evropiane të sportit kanë raportuar se 22-vjeçari dëshiron t’i bashkohet klubit katalonas, pasi që dëshiron të luajë përkrah bashkëkombësit të tij Lionel Messi edhe në nivelin e klubeve. E këto spekulime i ka nxitur edhe më shumë agjenti i tij, duke thënë “Kush nuk do të dëshironte të luante me Messin?!”

I pyetur për një transferim potencial të Lautaros, Setien preferoi vetëm ta lavdërojë argjentinasin e Interit.

“Unë nuk pesimist apo optimist me Lautaron. Më pëlqen ai ashtu siç më pëlqejnë lojtarët e mrekullueshëm, por unë s’mbaj iluzione për askënd”, ka thënë Setien.

“Ai është një futbollist i mrekullueshme. Ju thotë se Messit i pëlqen? Ne do të duhet ta pyesim atë. Të gjtihë lojtarët e mirë mund të ngjallin interes nga Barcelona”.

“Për më tepër që mundësia e të luajturit përkrah Messit është një stimul i madh për të gjithë. Kush nuk do të donte të luante me Messin?”

Martinez ka klauzolë për shkëputjen e kontratës me klubin prej 111 milionë eurosh. Kjo klauzolë është e vlefshme për të gjitha klubet jashtë Italisë, megjithatë Barcelona s’është e gatshme ta paguajë një shumë të tillë, për shkak se do të binte ndesh me rregullat financiare të UEFA-s.

Gazeta italiane Tuttosport raporton se klubi i La Ligas do t’ia ofrojë Interin disa lojtarë të vet për ta zbritur çmimin për Martinezin. Barcelona dëshiron t’i përfshijë Nelson Semedo, Arthur, Arturo Vidal, Carles Alena dhe Jean-Clair Todibo në marrëveshje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *