LAJME

Richard Grenell e pret Kurtin deri në fund të javës. Pastaj, gjërat mund të përshkallëzohen

Burime të Gazetës Express nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se Richard Grenell nuk do ta presë pafundësisht Qeverinë e Kosovës dhe Albin Kurtin për ta hequr tarifën ndaj mallrave serbe. Nëse tarifa nuk hiqet deri në fund të kësaj jave, atëherë gjërat mund të përshkallëzohen. Askush nuk mund të thotë me saktësi se çfarë do të ndodhë pas të premtes, por një gjë është e sigurt: raportet tona me Amerikën nuk do të jenë më të njëjta.

Kanë mbetur edhe pak ditë afat për Albin Kurtin. Administratës së Presidentit Trump po i soset durimi.

Burime të Gazetës Express nga Shtetet e Bashkuara kanë treguar se në fund të javës, Richard Grenell, shef aktual i të gjitha shërbimeve sekrete amerikane dhe ndërmjetësues mes Kosovës dhe Serbisë, do ta shqyrtojë situatën lidhur me heqjen apo jo të tarifës nga Qeveria e Albin Kurtit.

“Në fundjavë, Richard Grenell e shqyrton çështjen e tarifave se a janë hequr apo jo. Ose, nëse kjo nuk ka ndodhur, ai pritet që të marrë një hap të largimit të Shteteve të Bashkuara nga kjo çështje – duke e konsideruar kështu Kurtin si joserioz për partner të Washingtonit”, tha ky burim i Gazetës Express.

Gjithashtu, gazeta ka mësuar se në rast se Qeveria e Kosovës mbahet përgjegjëse nga Administrata Trump për pengesa në dialogun me Serbinë, kjo administratë parasheh politika të reja përballë Kosovës në të gjitha fushat ku kemi bashkëpunuar deri më tash.

Gazeta Express ka raportuar në vazhdimësi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke rishqyrtuar raportin ekonomik dhe politik të tyre me Kosovën, si pasojë e tarifës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake – të vendosur nga Qeveria Haradinaj dhe e cila ende nuk është larguar nga Qeveria e re.

Kryeministri i ri, Albin Kurti, ka premtuar zëvendësimin e tarifës me reciprocitet, por deri më tash ai vetëm e ka prolonguar këtë çështje. Partneri i tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes zëvendëskryeministrit të parë, Avdullah Hotit, ia ka bërë të qartë Kurtit se tarifa duhet të hiqet shpejt, por Kurti ka vazhduar duke thënë se “nuk ka nevojë të nxitohemi”. Në fakt, kjo është saktësisht e kundërta e kërkesës amerikane, të cilët insistojnë që kjo është çështje e ngutshme.

Tarifa u vendos nga Qeveria e Ramush Haradinajt dhe ajo shihet si pengesë e patejkalueshme në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Administrata e presidentit Trump dëshiron heqjen e menjëhershme të tarifës dhe kthimit të Kosovës dhe Serbisë në dialog, të cilën ata besojnë se mund t’i japin rrugë brenda pak kohësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *