LAJME

Pse vetëm ripërcaktimi i kufijve e përfundon konfliktin?

SHBA-ja, si fuqia e vetme globale, e cila është në procesin e riformësimit të politikës së saj të jashtme në funksion të parandalimit të depërtimit rus dhe kinez, po ashtu është e vendosur që përmes zgjidhjes së problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë ta dobësojë ndikimin rus, ta fusë Serbinë nën ndikimin amerikan dhe evropian, si dhe ta konsolidojë Kosovën dhe faktorin shqiptar si një digë të depërtimit të interesave ruse në Ballkan, përkatësisht në Adriatik. Kjo është edhe arsyeja se pse administrata aktuale amerikane, më shumë se kurrë, është e vendosur të gjejë një zgjidhje për raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Çdo interpretim tjetër është padituri, paranojë apo papërgjegjësi.

1. Në kohë krizash të mëdha shpërfaqen edhe dobësitë dhe të metat e një shoqërie dhe të një organizmi shtetëror, ashtu siç kriza të tilla janë edhe momente mobilizimi shoqëror e institucional. E po ashtu këto kohë do të duhej të ishin për ne edhe momente reflektimi e katarsisi personal e shoqëror, në mënyrë që me një qasje tjetër t’i zgjidhim edhe problemet e vjetra që na kanë përcjellë si shoqëri e si shtet. 

Pas vitit 2008, asgjë më shumë se kjo periudhë e tanishme emergjence shëndetësore nuk e ka dëshmuar gjendjen reale të kontrollit të pushtetit dhe të sovranitetit praktik në pjesën veriore të Kosovës. Serbia dhe masat e ndërmarra prej saj janë ato që zbatohen edhe atje, përderisa pushteti ynë është kryesisht formal. Në territorin e Kosovës, me rekomandime të institucioneve të Serbisë vendosen qytete të tëra në karantinë. 

Për më tepër, tek ditëve të fundit u futën në listën e të sëmurëve dhe të të vdekurve edhe qytetarët serbë të Kosovës, të cilët kryesisht shërbimet i marrin ose në Serbi, ose në institucionet paralele shëndetësore, – pra, në ato që i përgjigjen Serbisë e jo Kosovës. Sigurisht, në këto momente është e rëndësishme të shpëtohen jetët e njerëzve, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare e racore dhe pa marrë parasysh se kush kujdeset dhe kush e merr përgjegjësinë për intervenimin mjekësor, sepse kjo është një betejë e përbashkët e njerëzimit. 

Megjithatë, në cilindo shtet sovran të botës, pavarësisht nga situata dramatike, janë disa procedura që duhet të ndiqen, sado të thjeshtuara për shkak të situatës. Sidoqoftë, këto që i thashë janë më shumë për ta shpërfaqur konfliktin e sovranitetit në veri që u rishfaq publikisht në këtë kohë pandemie.

2. Viteve të fundit pushteti më i dukshëm i Kosovës në veri të vendit ushtrohet përmes policisë dhe doganave, por ky, në vend se të ishte një pushtet thelbësor, realisht shpërfaqet si një pushtet simbolik dhe i lejuar kryesisht për shkak të prezencës ndërkombëtare dhe interesave të vetë Serbisë, e që është rezultat i marrëveshjes së prillit të vitit 2013. Por pushtetin real politik e ka dhe e ka pasur Serbia, e të cilin e ka ushtruar përmes institucioneve të ndryshme në veri, për ironi, jo vetëm përmes institucioneve paralele, por edhe të atyre që formalisht janë të Republikës së Kosovës (siç janë komunat dhe pushtetet e tyre të dala nga zgjedhjet e Kosovës). Kështu përrallat e integrimit të veriut, të cilat na i kanë shitur qeveritë e kaluara (ato të PDK-së, të LDK-së e të AAK-së), më nuk mund t’i blejë askush. 

Të mos e harrojmë se tërë ky kompleksitet sovranitetesh mirëmbahet në fund të fundit nga prezenca e KFOR-it atje. Kështu, pushtetin real mbi sigurinë në veri e ka KFOR-i, e i cili, si në krejt Kosovën, edhe atje vepron sipas Rezolutës 1244. Edhe intervenimet e herëpashershme të Policisë së Kosovës në veri ndodhin vetëm pas koordinimit me KFOR-in dhe me miratimin e tij. 

Komunat serbe në veri janë integruar aq sa i ka interesuar Serbisë dhe aq sa – kurdo që të dojë – të mund ta destabilizojë Kosovën përmes tyre. Tashmë kjo vetëm sa ka dalë në pah. Por përderisa qeveritë e kaluara (të përfaqësuara nga parti që tani janë në opozitë e në pushtet) fajin kryesor e kanë se asnjëherë nuk e kanë shpjeguar kompleksitetin e situatës në veri dhe shpesh kanë proklamuar se veriu u integrua (sidomos prej marrëveshjes së prillit të vitit 2013 e tutje) dhe kanë ofruar edhe rrugëzgjidhje të gabuara, qasja e LV-së në opozitë ka qenë e ashpër, duke kërkuar ndërhyrje policore e ushtarake në veri për t’u vendosur sovraniteti i plotë i Kosovës atje. 

Kjo retorikë ekstremiste e populiste kishte për synim të rriste kredencialet patriotike të LV-së në sytë e opinionit publik, e realisht si politikë ditore bëhej për punë votash, por në thelb e pengonte çfarëdo debati konstruktiv për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit dhe, rrjed h imisht, pengonte zgjidhjen e problemeve me Serbinë. 

Kështu, duke qenë forca më e zëshme opozitare, LV e konsumonte këtë rol pa kurrfarë rezultati dhe i linte nën hije opsionet e tjera racionale. Dhe ky është një dëm i madh që i është bërë Kosovës, nga një parti që e proklamon veten si progresiste dhe shpresë për vendin. Tani kur ajo është në pushtet, gjuha ka ndryshuar. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, akuzon të tjerët se po duan të nxisin gjakderdhje në këtë kohë pandemie dhe fton për qetësi e gjakftohtësi, ndërsa të tjerët (PDK, LDK, AAK e Nisma, por edhe presidenti Thaçi), të cilët kishin pohuar moti se veriu ishte integruar, me gjuhë të ashpër kërkojnë ndërhyrje dhe vendosje të sovranitetit në veri. 

Retorika e të gjithë këtyre, duke qenë groteske, është e pabesueshme, andaj edhe shkaktoi irritim të arsyeshëm te një pjesë e mirë e opinionit publik. Role të përmbysura e, fatkeqësisht, rrug ëzgjidhje si zakonisht të gabuara e populiste nga të gjitha palët. Problemi i veriut nuk është problem policor a ushtarak, e as nuk mund të zgjidhet me mjete të tilla. Për më tepër, për të qenë realistë, një zgjidhje e tillë as nuk lejohet nga bashkësia ndërkombëtare. Por, gjithashtu, nuk mund të zgjidhet duke e injoruar situatën atje dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë në atë territor. 

Ky është një problem kompleks politik i raporteve tona me Serbinë dhe i cili duhet të zgjidhet vetëm me dialog politik. Dhe rruga e zgjidhjes kalon përmes Kosovës Lindore. Por, për këtë pak më vonë. 

3. Kryeministri Kurti përveç retorikës së ndërhyrjes në veri për ta vendosur sovranitetin, kohëve të fundit, kur e kuptoi se i është afruar pushtetit, por në vijën e kundërshtimit të dialogut me Serbinë, ka propaganduar se Kosova në vend të dialogut me Serbinë duhet të zhvillojë dialog me serbët lokalë. Ideja e zhvendosjes së dialogut, nga dialogu me Serbinë në atë me serbët lokalë ka qenë jo vetëm një ndër manipulimet më të mëdha politiko-propagandistike, por, po të ndodhte, do të ishte edhe ndër gabimet më të mëdha strategjike.

Konflikti në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe në mes të shqiptarëve dhe Serbisë nuk është një konflikt tipik etnik, i njerëzve që jetojnë në një territor dhe luftojnë për dominim mbi të. Jo! Ky është një konflikt që bazën e ka tek projekti kombëtar e shtetëror serb prej Naçertanijes së Garashaninit në vitin 1844, e që për synim ka pasur zgjerimin e shtetit serb në trevat e banuara me shumicë nga shqiptarët. Andaj, prej viteve 1877/1878 e këtej ky konflikt ka qenë në mes të shqiptarëve dhe shtetit serb e jo në mes të shqiptarëve dhe serbëve pakicë në Kosovë. Serbët në Kosovë janë manipuluar në vazhdimësi nga pushteti serb dhe, rrjedhimisht, herë kanë qenë përfitues e herë viktimë e këtij manipulimi. 

Po ta trajtojmë këtë si një konflikt në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, ne do t’i amnistonim të gjitha pushtetet shoviniste serbe prej vitit 1878, e sidomos ato prej vitit 1912 e deri te Milosheviqi. Edhe zgjidhjet që janë bërë në Pakon e Ahtisaarit e në Kushtetutën e Kosovës – ato zgjidhje që Kosovën e bëjnë jofunksionale nuk janë bërë për serbët e Kosovës, por për Serbinë që ajo, duke pasur një lloj ndikimi direkt tek serbët në Kosovë, të ketë një lloj pushteti në Kosovë, e kështu edhe ta njihte pavarësinë e Kosovës. Rrjedhimisht, Kosova nuk ka probleme me serbët brenda saj, por me Serbinë dhe manipulimin që ajo ua bën atyre për interesat e veta. Kështu që nuk ka asnjë mu ndësi që pë rmes ndonjë dialogu me serbët e Kosovës të zgjidhen problemet me Serbinë, por vetëm e kundërta mund të ndodhë. 
Për ndryshe, serbët e Kosovës janë pjesë e institucioneve dhe me ta bëhet dialog çdo ditë. Por nga ata nuk mund të pritet të funksionojnë të pavarur pa zgjidhjen e problemeve me Serbinë.

4. Që nga 6 tetori, për ata që kanë dashur të jenë realistë, ka qenë e qartë se çështja kryesore me të cilën do të merret Qeveria e re do të jetë dialogu me Serbinë. Njëkohësisht, për shkak të qëndrimeve të mëhershme të kryeministrit në detyrë, z. Kurti, është ditur se kjo do të jetë edhe sfida kryesore që do ta ketë kjo qeveri. 

Nëse dikush i ka paraparë jetëgjatësi të shkurtër Qeverisë, nuk ka qenë për çështje të brendshme, por pikërisht për çështjen e dialogut. Dhe debati për tarifën, për heqjen apo mosheqjen e saj, ka qenë dhe është debat për dialogun. Andaj edhe rrëzimi i Qeverisë në kohën më të keqe për vendin, i cili në pamje të parë u duk se u shkaktua në këtë moment nga shkarkimi i ish-ministrit Veliu, në të vërtetë ishte vetëm epilogu i ditur se cili do të ishte fati i kësaj qeverie për shkak të dialogut. 

Ashtu siç shkarkimi i ish-ministrit Veliu ishte shkas për rënie më të shpejtë të Qeverisë, ashtu edhe beteja publike në mes të partnerëve të koalicionit për tarifën e reciprocitetin në të vërtetë është betejë për fatet dhe dinamikën e dialogut. Në thelb, Qeveria Kurti u rrëzua jo për shkak të Agim Veliut e as për shkak të tarifës e reciprocitetit. Ajo u rrëzua për shkak të dialogut dhe hezitimit që kishte kryeministri Kurti me këtë proces, në njërën anë, dhe për shkak të presionit të administratës amerikane se kjo çështje duhet të vazhdohet me dinamikë të përshpejtuar. Ky presion amerikan javëve të fundit u bart krejtësisht në LDK në formën e kërkesës për heqjen e menjëhershme të tarifës pa kushte, që nënkuptonte se nuk pranohej vendosja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë. 

Arsyet e hezitimit të kryeministrit Kurti që të bëhej pjesë e dialogut mund të jenë të ndryshme, por ato që duken në pamje të parë kanë të bëjnë me frikën e tij se mos po bëhet pjesë e një dialogu në të cilin roli i presidentit Thaçi vazhdon të jetë i rëndësishëm, apo atë që e ka theksuar tanimë disa herë, se mos po tentohet që ai të bëhet një lloj dekori në marrëveshjen e cila tanimë është kryer. Kështu, si dikur ish-kryeministri Haradinaj që e përdori tarifën për ta penguar dialogun që, sipas tij, çonte në ndarje, edhe kryeministri Kurti e përdori fillimisht tarifën, e më pas reciprocitetin, si mjet për ta ngadalësuar procesin e dialogut me Serbinë. Kështu ai, duke u pozicionuar kundër një marrëveshjeje të mundshme Thaçi-Vuçiq, në të vërtetë u pozicionua kundër dinamikës së dialogut të cilën po e imponon administrata amerikane. 

Hezitimi për t’u bërë pjesë e dialogut, përmes shfrytëzimit të politikës së heqjes së pjesshme të tarifës apo të asaj të reciprocitetit, në të vërtetë është justifikim se pritja dhe mosfutja tani në dialog do t’i sillte përparësi Kosovës, sepse mund të vijnë “ditë më të mira”. Për më tepër, edhe raporti me presidentin Thaçi, një ndeshje me dozë të theksuar egosh, është një element shtesë, që ndoshta e ka shtyrë kryeministrin të mendojë se pritja është në favorin e tij, e rrjedhimisht edhe të Kosovës.

E sidomos pritja që mund të lidhet me kalimin e mandatit aktual të presidentit Thaçi, e ndoshta edhe me ndonjë ndryshim eventual në administratën amerikane. Në anën tjetër, krejt këtyre zhvillimeve të brendshme administrata e Trampit, përmes ambasadorëve Grenell e Kosnet dhe përfaqësuesit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin, z. Palmer, iu përgjigjën se jo veç që nuk ka një marrëveshje të shkruar, por se ata nuk dinë që ka një marrëveshje për shkëmbim të territoreve në mes të Thaçit dhe Vuçiqit, për çka u trumbetua tash e gati dy vjet e u përsërit sa e sa herë nga kryeministri Kurti deri ditën e mocionit të mosbesimit në Kuvendin e Kosovës.  

5. Kur politikanët kryesorë të vendit flasin publikisht për dialogun, e trajtojnë atë me një mungesë të theksuar sinqeriteti. Ata kanë ndërtuar diskursin se ky dialog do të përfundojë me njohjen e Kosovës dhe është vetëm Serbia ajo që duhet dhe do ta bëjë kompromisin. 

Këtë sigurisht e thonë publikisht, e në realitet frikësohen prej së vërtetës me të cilën asnjëherë nuk janë ballafaquar apo të cilën e kanë kundërshtuar publikisht, duke mos dhënë asnjëherë alternativa. Ata e dinë mirë se nga dialogu priten kompromise jo vetëm nga Serbia (njohja e Kosovës), por edhe nga Kosova. Është e qartë se në këtë format Serbia nuk e njeh Kosovën, andaj edhe kemi dialog dhe kemi ndërhyrje ndërkombëtare për dialogun. 

Prej këtu burojnë edhe ndërskamcat herë të fshehta, e herë të hapura që dialogut ia bëjnë qeveritë tona, por edhe opozitat, cilado qofshin partitë që i përfaqësojnë ato. Por, në anën tjetër, tek ne, për shkak të interesave të ngushta partiake asnjëherë nuk është zhvilluar një debat normal për dialogun nga i cili do të duhej të artikulohej qartazi dhe në mënyrë racionale se dialogu dhe zgjidhja përfundimtare e problemeve me Serbinë është në interes të Kosovës. Kosova është e izoluar. Kosova ka problem me legjitimitetin ndërkombëtar. Nuk është anëtare e OKB-së, e OSBE-së, e Këshillit të Evropës, e Interpolit, e UNESCO-s etj. Nuk mund të bëhet anëtare e BE-së, sepse pesë shtete nuk na njohin. 

Në shumë raporte që trajtojnë mundësitë e investimeve, Kosova figuron si vend me stabilitet të brishtë politik (shpesh vend me konflikt, duke e paraqitur veriun e vendit si problematik në aspektin e kontrollit dhe të shtrirjes së plotë të sovranitetit), andaj edhe investitorët seriozë hezitojnë të vijnë në Kosovë. Kemi një Kushtetutë që e bën shtetin jofunksional, sepse i jep mundësi komunitetit serb të bllokojë funksionimin e tij përmes privilegjeve kushtetuese që i kanë. Asnjë ndryshim kushtetues nuk mund të bëhet pa 2/3 e votave të pakicave në Kuvendin e Kosovës dhe asnjë nga ligjet që i trajtojnë tetë fushat e rëndësishme për funksionimin e shtetit tonë nuk mund të ndryshohen pa votat e 1/2 të deputetëve të pakicave. 

Këtu duhet pasur parasysh se deputetët serbë, të cilët do të vazhdojnë të ndikohen nga Beogradi, deri në një zgjidhje politike në mes të dy vendeve (e ky ndikim mund të vazhdojë në varësi edhe të marrëveshjes dhe zgjidhjes) nuk janë të interesuar që të bëjnë ndryshime të cilat Kosovën e bëjnë shtet funksional. Po ashtu duke i pasur këto probleme dhe duke pasur mungesë stabiliteti të vazhdueshëm sidomos në veriun e vendit, edhe diskursi politik brenda Kosovës ka qenë i përqendruar dhe do të përqendrohet edhe në të ardhmen vazhdimisht në tema të mëdha, gjë që e bën të vështirë një përqendrim maksimal në zhvillimin socio-ekonomik, në luftimin e korrupsionit e në sundim të ligjit. Shumica e qeverive të fundit kanë ardhur në pushtet me agjenda të zhvillimit ekonomik, e do të mbahen mend për çështjen e dialogut me Serbinë, proces i cili edhe i ka rrëzuar në fund. 

Shembujt më tipikë janë qeveria Mustafa dhe ajo Haradinaj. Edhe qeverinë aktuale e priti i njëjti fat, veçse ndodhi më shpejt se kurdoherë, madje edhe në rrethana pandemie. Ka qenë një mungesë sinqeriteti e pothuajse tërë spektrit politik që në fushatën zgjedhore fare nuk janë marrë me dialogun, përderisa të gjithë e kanë ditur se ajo është puna e parë që do t’i presë sapo të futen në Zyrën e kryeministrit. 

Pse vetëm ripërcaktimi i kufijve e përfundon konfliktin? (2)

SHBA-ja, si fuqia e vetme globale, e cila është në procesin e riformësimit të politikës së saj të jashtme në funksion të parandalimit të depërtimit rus dhe kinez, po ashtu është e vendosur që përmes zgjidhjes së problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë ta dobësojë ndikimin rus, ta fusë Serbinë nën ndikimin amerikan dhe evropian, si dhe ta konsolidojë Kosovën dhe faktorin shqiptar si një digë të depërtimit të interesave ruse në Ballkan, përkatësisht në Adriatik. Kjo është edhe arsyeja se pse administrata aktuale amerikane, më shumë se kurrë është e vendosur të gjejë një zgjidhje për raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Çdo interpretim tjetër është padituri, paranojë apo papërgjegjësi.

6. Sigurisht që përveçse interes yni, dialogu dhe zgjidhja e kontestit në mes të Kosovës dhe Serbisë është edhe interes i aleatëve tanë. Është interes i BE-së dhe shteteve që e përbëjnë atë, sepse ato në thelb i duan stabilitetin dhe mundësinë e zgjerimit të BE-së në një Ballkan pa probleme. 

Interes i tyre është Kosova stabile, por edhe një Serbi me ndikim minimal rus dhe pjesë e sferës së ndikimit dhe interesit euroatlantik. Një Serbi me probleme të hapura me Kosovën është gjithnjë një instrument i politikës ruse për ta destabilizuar rajonin. Në anën tjetër, SHBA-ja, si fuqia e vetme globale, e cila është në procesin e riformësimit të politikës së saj të jashtme në funksion të parandalimit të depërtimit rus dhe kinez, po ashtu është e vendosur që përmes zgjidhjes së problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë ta dobësojë ndikimin rus, ta fusë Serbinë nën ndikimin amerikan dhe evropian, si dhe ta konsolidojë Kosovën dhe faktorin shqiptar si një digë të depërtimit të interesave ruse në Ballkan, përkatësisht në Adriatik. 

Kjo është edhe arsyeja se pse administrata aktuale amerikane, më shumë se kurrë, është e vendosur të gjejë një zgjidhje për raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Çdo interpretim tjetër është padituri, paranojë apo papërgjegjësi. Për më tepër, siç po vërehet kohëve të fundit, kjo administratë është duke e marrë tërësisht në dorë procesin negociator nga BE-ja, e cila realisht nuk dëshmoi zgjuarsi politike kur emëroi Miroslav Lajçakun për emisar të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Jo vetëm që shefi i Lajçakut, Josef Borrelli, por edhe ai vetë vjen nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën dhe të dy në situata të ndryshme kanë qenë të angazhuar kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Dhe si fillim nuk është i mbarë ky pozicion i BE-së, pa e paragjykuar vullnetin qoftë të Borellit, qoftë të Lajçakut për një marrëveshje Kosovë-Serbi, e pa e anashkaluar rolin e BE-së dhe synimin tonë për integrim në të. 

Por, në anën tjetër, të mos e harrojmë se politika jonë në vazhdimësi e ka kërkuar që SHBA-ja ta udhëheqë dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

7. Serbia, në anën tjetër, ka interes për ta zgjidhur problemin, sepse është e bindur se Kosova është e humbur, dhe se ajo është një barrë e rëndë politike dhe ekonomike për të, e sidomos në procesin e integrimit në BE. 

Por ajo synon të tërhiqet duke nxjerrë një kompromis që të dalë e larë para opinionit publik serb. Serbia gjithashtu është e vetëdijshme se me këtë rast mundësia e destabilizimit të saj edhe nga Rusia është më e vogël. Ajo do të vazhdojë të luajë lojën e saj shekullore në mes të Perëndimit e Rusisë, por me zgjidhjen e problemeve me Kosovën do të jetë në pozicion shumë më të favorshëm. 

E gjithë kjo situatë dëshmon për një moment të rëndësishëm historik, të cilin duhet ta shfrytëzojmë që ta mbyllim kapitullin e konfliktit shqiptaro-serb përmes një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sigurisht, ky dialog nuk do të jetë i lehtë, dhe ka shumë kurthe e të papritura nëse ne nuk jemi unikë që të nxjerrim më të mirën. 

Në horizont duken disa opsione sesi mund të përfundojë ky dialog. Dy prej tyre janë: 1. ripërcaktimi i kufijve, dhe 2. asociacioni plus, apo, si po i thonë, edhe Ahtisaari plus-plus, që do të thoshte autonomi politiko-territoriale për serbët në Kosovë. Dy variantet e tjera, të cilat realisht mund të zbatohen pa u arritur marrëveshja finale, janë asociacioni sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, apo edhe vazhdimi i status quo-s aktuale. 

8. Ripërcaktimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë që do të duhej të përfshinte pjesët shqiptare të tri komunave në Kosovën Lindore (pjesët shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës) dhe pjesët serbe të tri komunave veriore të Kosovës (Leposaviqi, Zubin-Potoku dhe Zveçani, pa shtatë fshatrat shqiptare) do të shtronte rrugën për zgjidhjen përfundimtare të kontestit në mes të Kosovës dhe Serbisë, rrjedhimisht të kontestit shqiptaroserb. 

Një zgjidhje e tillë do ta funksionalizonte shtetin e Kosovës, duke hequr kufizimet që Kushtetuta e Kosovës i ka barrë që prej Pakos së Ahtisaarit, siç janë privilegjet bllokuese për serbët në Kosovë. Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë kufizimin e të drejtave për të gjitha pakicat në Kosovë, përfshirë atë serbe, por vetëm heqje e privilegjeve bllokuese e antidemokratike. Një marrëveshje e tillë, me ndryshimet e nevojshme kushtetuese, do të hapte edhe mundësitë jo vetëm të shndërrimit të Kosovës në një shtet plotësisht sovran, me dyer të hapura për t’u pranuar edhe në organizatat ndërkombëtare, por edhe do të kishte mundësi që të krijonte një raport vullneti të lirë popullor me Republikën e Shqipërisë. 

Një marrëveshje e tillë do të ishte edhe një larje e borxhit ndaj shqiptarëve të Kosovës Lindore që vazhdojnë të jetojnë nën represion, ndërsa historikisht kanë dhënë po aq sa edhe ne për lirinë e Kosovës. Një zgjidhje e tillë do të krijonte hapësirë që qytetarët e Kosovës përfundimisht të vendosnin se a duan që Kosova të jetë një shtet krejtësisht sovran, një shtet sovran me lidhje më të veçanta me Republikën e Shqipërisë, apo edhe të vendosin për forma të përbashkëta të organizimit shtetëror me Republikën e Shqipërisë, e që do të mund të përfshinin prej unionit në mes të dy shteteve (në lloj konfederate apo federate) e deri tek opsioni i krijimit të një shteti unik. Një situatë e tillë, e sidomos dy opsionet e fundit, do të krijonin një balancë të tillë forcash në Ballkan, qoftë ushtarake, qoftë ekonomike, sa përfundimisht do t’i ndalonin apetitet serbe ndaj trevave shqiptare dhe do të krijonin mundësitë reale të një bashkëpunimi dhe pajtimi në mes të dy popujve dhe dy vendeve. 

Një shtet i tillë, jo vetëm që do të ishte garanti më i mirë i kultivimit të vlerave evropiane të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe atyre të pakicave e të multi-kulturalizmit, por do të ishte edhe diga më e sigurt e depërtimit të interesave ruse në këtë pjesë të Ballkanit. Rrjedhimisht, do të vazhdonte të ishte aleati më i besueshëm i SHBA-së në këtë pjesë të botës. Ky rast i jashtëzakonshëm është hapur në dy vjetët e fundit prej që SHBA-ja, në funksion edhe të interesave të saj gjeo-strategjike, pa u përcaktuar për zgjidhjen, kanë dhënë indikacione se, nëse palët merren vesh, mund të hapet edhe tema e kufijve, gjë që më parë nuk e kanë lejuar. Edhe një pjesë e shteteve evropiane nuk do ta pengonin një zgjidhje të tillë, nëse të dyja palët pajtohen. 

Në këtë rast, kjo nuk do të ishte fare precedent, e aq më pak precedent i “rrezikshëm” për shtetet e tjera në rajon, sepse në thelb të kësaj marrëveshjeje do të ishte pajtueshmëria e palëve. Nëse do të ishte precedent, do të ishte precedent pozitiv.

9. Të tri opsionet e tjera, asocia cioni plus (autonomia politiko-territoriale për serbët në Kosovë), aplikimi i modelit të asociacionit sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, apo mbetja e gjendjes kështu siç është, Kosovën e lënë të gjymtë nga brenda, jofunksionale dhe me potencial ndikimi nga Serbia në vazhdimësi. 

Sigurisht, në varësi se cili nga opsionet do të implementohet, jofunksionaliteti i shtetit do të dallojë për nga shkalla, por në thelb Serbia mbetet e pranishme në Kosovë përmes zgjidhjeve të brendshme kushtetuese apo juridike për pakicën serbe. Gjasat që të shndërrohemi në një BosnjëHercegovinë të dytë janë reale. 

Opsioni i asociacionit plus apo Ahtisaarit plus-plus, që në të vërtetë është autonomi politiko-territoriale, jo vetëm për veriun, por do të përfshinte edhe komunat e tjera në brendësi me shumicë serbe, – është varianti që më së shumti i afrohet modelit të sotëm jofunksional të Bosnjë-Hercegovinës, dhe i cili do t’i jepte më së shumti pushtet Serbisë në Kosovë. I kombinuar me privilegjet aktuale kushtetuese, ky variant e godet rëndë shtetësinë e Kosovës, qoftë edhe nëse ajo formalisht bëhet pjesë e OKB-së. 

Edhe varianti i asociacionit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në thelb është vazhdimësi e jofunksionalitetit të shtetit të Kosovës. Ky asociacion, ashtu si edhe varianti paraprak, nuk nënkupton fund të konfliktit, por një konflikt të pafund, të përditshëm dhe shumë të dhimbshëm për Kosovën. Asociacioni, edhe pse sot jo juridikisht, shumë lehtë nesër do të mund të shndërrohej faktikisht dhe politikisht në një entitet autonom, sidomos kur të kombinohet me privilegjet kushtetuese që serbët i kanë me Kushtetutë. Në fund e kemi opsionin e status quos, pra vazhdimit të gjendjes aktuale të pritjes për “ditë më të mira”. Ky ka qenë edhe varianti i favorizuar nga një pjesë e garniturës politike, mediale dhe e shoqërisë civile, të cilat  mendonin se duhet të prisnim një moment më të favorshëm politik, ndryshime në politikën e në administratën amerikane etj. 

Rrjedhimisht, ky opsion ka qenë dominues në dy vjetët e fundit në  LV, në LDK, në PDK e në AAK. Por përderisa ka mbetur i tillë tek e para arti, tri të fundit së paku publikisht kanë filluar të ndryshojnë diskurs rreth kësaj çështjeje pas presionit të fundit të jashtëzakonshëm amerikan, e që u përcoll edhe me fillimin e sanksioneve, sidomos në fushën e projekteve ekonomike. Ky qëndrim, përveçqë është një naivitet i thellë politik, është edhe mungesë guximi për të marrë përgjegjësi politike. Në të vërtetë, kjo do të thoshte vazhdim i mungesës së funksionalitetit të Kosovës, përzierje e vazhdueshme e Serbisë në Kosovë, duke i shfrytëzuar privilegjet kushtetuese të serbëve, mospranim në mekanizmat ndërkombëtarë, ndoshta edhe vazhdim i procesit të çnjohjeve dhe lodhje e brendshme në planin socioekonomik, e dërrmim në atë politik. 

Në anën tjetër, ndryshimet në politikën e jashtme amerikane janë më strukturore sesa mendojnë udhëheqësit dhe militantët partiakë në Prishtinë dhe janë të orientuara drejt mbylljes së vatrave të krizave në rajonet që janë nën ndikimin amerikan, sepse këto vatra krizash po shfrytëzohen në vazhdimësi politikisht edhe në aspektin e sigurisë nga Rusia, ndërsa ekonomikisht nga Kina. Në anën tjetër, kriza në BE, dalja e Britanisë së Madhe prej saj, si dhe fuqizimi në vazhdimësi i së djathtës ekstreme në vendet kryesore si Gjermania, Franca e Italia nuk japin shenja se BE-ja do të jetë ai faktor i cili vetëm e pa SHBA-në mund të projektojë forcë implementuese për një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Për më tepër, kriza ekonomike që do të gjenerohet prej pandemisë së COVID-19, dhe e cila si zakonisht mund të përcillet me një krizë të radhës politike brenda BE-së (edhe ashtu në krizë) mundet ta vendosë çështjen e dialogut me Serbinë në margjina, pasojat më të mëdha të së cilës do t’i bartë Kosova dhe qytetarët e saj.

10. E nëse, megjithatë, në marrëveshje shtyhet ndonjëri nga variantet e asociacionit, apo edhe nuk do të kemi marrëveshje, por do të vazhdojë status quoja, kam bindjen e plotë që pas disa vitesh, do të përfundojmë prapë në ndryshim kufijsh, për të cilin do të jemi të interesuar vetë, por deri atëherë mund të humbasim jo vetëm energji e mund që do të reflektohet në moszhvillim, në konflikte të jashtme e të brendshme, me mundësi reale që ta humbasim edhe pjesën veriore të Mitrovicës dhe fare të mos trajtohet çështja e Kosovës Lindore. 

Zvarritja që ia kemi bërë këta dy vjetët e fundit dialogut me Serbinë, sidomos pas përfshirjes më serioze amerikane në këtë proces përmes letrës së presidentit Trump për presidentët Thaçi e Vuçiq, Kosovës mund t’i kushtojë shumë. Në situatën në të cilën jemi, askush nuk mund të na thotë se në cilin drejtim do të shkojnë bisedimet dhe sesi mund të duket një marrëveshje finale. Qëndrimet publike të politikës sonë janë ato që u trajtuan pak a shumë më lart dhe kryesisht karakterizohen nga vijat e kuqe bllokuese dhe aspak nga ndonjë ofertë a platformë që do të shtronte rrugën për zgjidhje thelbësore të problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Në këtë situatë edhe refuzimi i marrëveshjes nuk do të jetë ndonjë opsion me të cilin Kosova fiton. Në anën tjetër, SHBAja ka interes për ta mbyllur këtë kapitull, interes që ndërlidhet me dobësimin e ndikimit rus në Serbi dhe me hapjen e dyerve të saj për në BE e ndoshta edhe në NATO në të ardhmen. Ne mund të vijmë në situatë që nëse e refuzojmë marrëveshjen e mundshme, Serbisë mund t’i hapen njëanshmërisht rrugët për në BE dhe për ndërtim të një partneriteti më të afërt me SHBA-në. Andaj, në këtë kontekst, zvarritja e dialogut ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për Kosovën. Në anën tjetër, varianti më i luftuar në opinionin publik në mënyrën më joracionale,  ai i ripërcaktimit të kufijve, do të ishte një mundësi e artë për Kosovën dhe shqiptarët dhe varianti i vetëm i cili përfundimisht do të mbyllte kapitullin e konfliktit shqiptaro-serb në Ballkan, por edhe do të hapte dyert për stabilitetin e Kosovës. 

Personalisht mbes me bindje të thellë, por edhe me shpresë se opsionet e tjera jo vetëm se do të jetë e vështirë të trajtohen e të pranohen nga përfaqësuesit tanë politikë, por mbi të gjitha do të jetë e vështirë të implementohen, andaj edhe nuk do të duhej të përkraheshin edhe nga amerikanët, duke e ditur se këto zgjidhje veç në dukje mund të duken të tilla, por që në thelb vetëm do ta shtynin konfliktin. 

(Autori është kryetar i Lëvizjes për Bashkim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *