LAJME

Një grup i madh mjekësh nga Serbia kanë ardhur në Kosovë, në komunat me shumicë serbe

Mjekë, infermierë e teknikë nga Serbia kanë ardhur në Kosovë. Në MSH potencojnë së kjo ka ndodhur  me kërkesë të kryetarit të komunës së Graçanicës, e që Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, Ministria të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike kanë dhënë leje. Personeli mjekësorë që raportohet se janë mbi 100 por që MSH se përmend shifrën, do t’i ndihmojë Komunave me shumicë serbe përfshirë Graçanicën rreth situatës me virusin COVID-19.

Sipas mediave lokale në gjuhën serbe thuhet se në Graçanicë ka një rast të konfirmuar me COVID-19, megjithatë institucionet kosovare në njoftimet e tyre nuk kanë bërë të ditur se ka ndonjë rast të konfirmuar me koronavirus nga kjo komunë.

Kryetari i kësaj komune, Srgjan Popoviq, megjithatë  formalisht ka kërkuar që të lejohen mjekët nga Serbia edhe pse vatra e COVID 19 është në pjesën veriore.

Ai i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që përmes Mibistrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të lejojë një grup të punëtorëve shëndetësorë nga Serbia të hyjnë në Kosovë.

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar zyra për informim e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Kryetari i Komunës së Gracanices Srgjan Popoviq,  i ka kërkuar MSh-së që përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme të lejojë një grup të mjekëve, infermierëve dhe teknikëve nga Serbia që të qëndrojnë në këtë komunë, me qëllim që të ndihmojnë qytetarët e kësaj komune rreth Covid-19”, thuhet në përgjigjen e zyrës së MSH’së.

MSH-ja thekson se ka aprovuar kërkesën, pasi sipas tyre vizita po bëhet për qëllime humanitare-shëndetësore.

“Meqë qëllimi i vizitës është për qëllime humanitare-shëndëtesore, MSh ka miratuar kërkesën dhe do të veprojmë me procedura të shpejtuara për të lejuar secilin ekip mjekësor nga cilido vend që për qëllim ka kontrubutin që të ndihmohen qytetarët për t’u ballafaquar me Covid-19”, thuhet në përgjigjen e MSH’së.

Po ashtu MSH’ja thotë se i ka të dhënat e të gjithë personave që janë pjesë e këtij ekipi.

“MSh ka të dhënat e të gjithëve që jane pjesë e këtij ekipi, i cili, gjatë hyrjes në Kosovë iu ka nënshtruar kontrolleve të autoriteteve kosovare sikurse çdo i huaj tjetër. Ekipe mjekësh të vendeve të huaja vijnë në Kosovë gjatë tërë vitit, prandaj, interpretimi i këtyre vizitave pertej rrafshit shëndetësor e human, është i panevojshem”, thekson MSH’ja.

Ndërkohë, numri total i personave të prekur me virusin COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 362. Të shëruar janë 59 persona, ndërsa 8 kanë humbur jetën si pasojë e prekjes nga koronavirusi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *