LAJME

Negociata deri pasmesnate me Abazin, ndërpritet greva e minatorëve në Stantërg

Pas rreth katër orë bisedimesh të cilat përfunduan para orës 2:00 të mëngjesit të së martës, është arritur marrëveshja në mes të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Haki Abazi dhe minatorëve të rinj që u pranuan në konkursin e fundit në minierën “Trepça” për ndërprerjen e grevës.

Zëvendëskryeministri Abazi, i shoqëruar nga kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, si dhe menaxheri i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, vizituan në horizontin e njëmbëdhjetë të minierës “Trepça” në Stantërg rreth 50 minatorë grevistë, të cilët nga frika e anulimit të konkursit, janë ngujuar në zgafelle të hënën nga ora 8:00 të mëngjesit deri pas mesnatës.

Abazi ka bërë të ditur për KosovaPress, se greva është ndërprerë dhe konkursi nuk do të anulohet.

Sipas tij, është arritur një ujdi për zgjidhje individuale, sepse jo të gjithë kanë bërë shkelje të konkursit, dhe jo të gjithë janë pranuar me probleme.

Ai shtoi se, këto janë çështje që i përkasin institucioneve të drejtësisë.

“Sot bashkë me menaxhmentin, me kryetarin e komunës, erdhëm me i taku këta punëtorë që kanë shprehur brengosjen e tyre për fatin e punës. Janë të gjithë njerëz prindërit e të cilëve kanë vdekur duke punuar brenda në Trepçë. Janë fëmijë të një gjeneratë që kanë dhënë gjithçka për Kosovën dhe për me i mbajt familjet e tyre me dinjitet. Erdhëm u takuam dhe arritëm një ujdi që të bëhet zgjidhje në mënyrë individuale, një nga një për brenda mundësive që ekzistojnë në kombinatin ‘Trepça’ […] Jo absolutisht, nuk anulohet konkursi por sigurisht që as shkeljet nuk do të tolerohen. Por kjo është çështje individuale sepse jo të gjithë kanë bërë shkelje të konkursit dhe jo të gjithë janë pranuar me probleme, mirëpo ato janë çështje të institucioneve të drejtësisë. […] Greva është ndërprerë”, ka thënë Abazi.

Ekipi i KosovaPress edhe pse gjatë gjithë kohës ka qenë aty, nuk është lejuar të hyjë brenda hapësirave të minierës.

Ndërsa, menaxheri i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, ka konfirmuar ndërprerjen e grevës, pasi siç u shpreh ai, minatorët kanë marrë zotimin se konkursi nuk do të anulohet, por do të vazhdojë zbatimi i tij.

“Fatkeqësisht një pjesë e punëtorëve emrat e të cilëve kanë dalë në listat që janë pranuar, që kanë qenë fëmijët e ish-minatorëve, janë frikësuar se do të anulohet konkursi, dhe për këtë çështje janë ngujuar në zgafelle. Së bashku me zëvendëskryeministrin u dakorduam që konkursi do të vazhdojë dhe do të zgjidhet problemi i tyre. […] Mund të konstatojmë se greva është ndërprerë sepse kanë marrë zotimin që konkursi nuk do të anulohet dhe do të vazhdojë zbatimi i konkursit”, tha për Ibrahimi për KosovaPress.

Ndryshe, është një grup tjetër i qytetarëve që kishin konkurruar në këtë konkurs dhe nuk janë pranuar, të cilët janë duke protestuar për disa ditë para menaxhmentit të “Trepçës”.

Ata javën e kaluar janë takuar me kryeministrin Albin Kurti, i cili ju ka premtuar anulimin e konkursit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *