LAJME

Mustafa: Të krijohet qeveri e re, po uzurpohet shteti

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë sot se vendimet që Kryeministri në detyrë i lexoi mbrëmë në “natën historike” përmes ministrit të Shëndetësisë, janë shqetësuese dhe kapërcejnë çdo kufi të një shteti demokratik.

Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook duke komentuar rreth seancës që pritet të mbahet e ku do të diskutohet pakoja emergjente iniciuar nga PDK-ja thekson se pako e vetme e arsyeshme është që të shkojë kjo qeveri dhe logjikë qeverisëse një ditë e më parë, të krijohet qeveri e re e cila së bashku me Kuvendin do të nxjerr masat e domosdoshme për ta kapërcyer këtë gjendje.

“Unë nuk dyshoj se PDK si iniciues i kësaj seance nuk e ka përgatitur me qëllime të mira një propozim të pakos financiare, por me këto masa drakonike të kësaj qeverie në detyrë nuk funksionon asnjë pako. Sepse kur jeta ekonomike dhe biznesore mbyllet skajshmërish, nuk ka pako që shpëton as atë e as qytetarët”.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

“Do të kisha dashur që sot me ju së bashku të shpreh miradije për punën që e bëjnë organet shtetërore dhe qytetarët në betejën e përbashkët për ta përballuar COVID-19. Poashtu, të respektohet thirrja e Kryesisë së ASHAK që të lëmë anash luftën politike dhe të bashkohemi në betejën për të ruajtur jetë njerëzish. Do të dëshiroja të krenohem me punën e ministrave të LDK-së që kanë mbetur në Qeverinë në detyrë me mision të parandalimit të kësaj Pandemie.

Është pritur që Qeveria në detyrë të segmentojë zonat e krizës dhe të rregullojë lëvizjen e qytetarëve në ato pjesë, sepse të gjithë jemi të interesuar ta mposhtim Pandeminë. Jo të kamuflojë gjendje të jashtëzakonshme në tërë territorin përmes Ministrit të Shëndetësisë.

Vendimet që Kryeministri në detyrë na i lexoi mbrëmë në ‘natën historike’ përmes gojës së Ministrit të Shëndetësisë, janë shqetësuese. Ato kapërcejnë çdo kufi të një shteti demokratik.

Sipas këtyre vendimeve, qytetarët e Kosovës nuk janë qytetarë me të drejta të garantuara kushtetuese. Qeveria në detyrë nuk është qeveri e një shteti parlamentar. Ajo nuk po e respekton Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ministritë e caktuara janë bërë vet ligji. Deputetët, si përfaqësues të popullit, do të mund të shkojnë në Kuvend, vetëm kur ua lejon Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Ministrat e LDK-së mbesin anash.

Deputetët sot do duhej ta thonë fjalën e tyre. Jo për pako financiare. Por për uzurpimin e shtetit nga Qeveria në detyrë.

Unë nuk dyshoj se PDK si iniciues i kësaj seance nuk e ka përgatitur me qëllime të mira një propozim të pakos financiare, por me këto masa drakonike të kësaj qeverie në detyrë nuk funksionon asnjë pako. Sepse kur jeta ekonomike dhe biznesore mbyllet skajshmërish, nuk ka pako që shpëton as atë e as qytetarët.

Pako e vetme e arsyeshme është që të shkojë kjo qeveri dhe logjikë qeverisëse një ditë e më parë, të krijohet qeveri e re e cila së bashku me Kuvendin do të nxjerr masat e domosdoshme për ta kapërcyet këtë gjendje në të cilën jemi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *