SPORT

Messi: La Liga është komplikuar

Lionel Messi beson se dallimi mes Barcelonës, Real Madridit dhe klubeve të tjera të La Ligës është zvogëluar dukshëm gjatë dekadës së fundit, duke e bërë kështu ligën elitare spanjolle më të komplikuar.

Për momentin, Barcelona e mban kreun e tabelës së La Ligës, me 34 pikë, vetëm për shkak të dallimit në gola me Real Madridin, ndërsa Sevilla radhitet e treta, me vetëm tre pikë më pak sesa dy gjigantet spanjolle.

Megjithatë, për ta dëshmuar konkurrencën në këtë sezon të La Ligës mund të përdoret shembulli i Real Sociedad, që është në pozitën e katërt, dhe Granadas, në pozitën e nëntë, pasi që këto dy klube kanë vetëm tre pikë dallim mes vete.

Barcelona i ka humbur tri dhe e ka barazuar një ndeshje nga 15 të zhvilluarat këtë sezon, përderisa Real Madridi i ka barazuar katër dhe e ka humbur një.

Messi mendon se këto rezultate e dëshmojnë fuqinë e skuadrave të tjera në ligë, të cilët janë përmirësuar dukshëm gjatë dekadës së fundit.

“Gjithçka po bëhet gjithnjë e më e barabartë”, tha sulmuesi argjentinas, gjatë një eventi të kompanisë Adidas të mërkurën.

“Ata janë përmirësuar gjatë viteve të fundit dhe ne e vërejmë se tani ka më shumë barazi, që çdo skuadër mund ta mposhtë skuadrën tjetër, që e bën edhe më të vështirë të luash kur je mysafir”.

“Skuadrat janë bërë më të forta në shtëpi sepse e dinë se, për t’i arritur qëllimet e veta, ata duhet të jenë të mirë në shtëpi. Kjo e bën situatën më të komplikuar dhe sjell më shumë barazi”. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *