LAJME

Kurti me video-mesazh tregon gjendjen aktuale në vend dhe menaxhimin e situatës për t’i shpëtuar COVID19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi u është drejtuar qytetarëve të Kosovës.

Kurti thotë se dyqanet ushqimore, furrat e barnatoret vazhdojnë punën për furnizimin e rregullt të qytetarëve.

Ndërsa, bizneset e mbyllura, siç janë: baret, restorantet, pabet, qendrat tregtare, me respektimin rigoroz të ndalesave të Qeverisë, po japin kontribut në mospërhapjen e virusit corona.

Bankat

“Sistemi bankar gjithashtu është duke funksionuar mirë, kryesisht i fokusuar në realizimin e pagesave dhe mirëmbajtjen e rrjedhës së parasë së gatshme. Mbetet rekomandimi për shfrytëzimin sa më të madh të pagesave elektronike, kartelave bankare dhe bankomatëve, përderisa duhet t’iu shmangemi sporteleve bankare dhe radhëve apo tollovive para tyre”, ka thënë Kurti

Furnizimi, dogana

Zinxhiri furnizues në Kosovë është duke funksionuar mirë. Dogana është duke e vijuar punën si zakonisht. Maunet janë vazhdimisht duke hyrë në Kosovë dhe duke kryer procedurat e rregullta të zhdoganimit, natyrisht pas kontrolleve mjekësore. Madje rritja e importeve në ditët e fundit, garanton që nuk do të ketë mungesë, as të artikujve ushqimorë e as atyre të higjienës apo farmaceutikë, thotë Kurti.

Energjia elektrike

Furnizimi me energji elektrike e me ujë të pijshëm apo mbledhja e mbeturinave është duke funksionuar normalisht falë mijëra punonjësve të këtyre shërbimeve që nuk e ndalën punën e tyre. Edhe shërbimet si telefonia e interneti apo mediumet informative vazhdojnë punën për të mundësuar normalitet. Bizneset prodhuese private gjithashtu po e vazhdojnë prodhimin e mallrave esenciale, thotë kryeministri Kurti

Menaxhimi i COVID19, duke operuar me plan për ndërmarrjet…

Natyrisht pjesshëm duke e organizuar punën me ndërrime, për të zvogëluar numrin e punëtorëve të pranishëm në punë, aq sa kjo është e mundshme. Qeveria është e vetëdijshme edhe për vështirësitë e të operuarit dhe humbjet ekonomike në disa sektore.

Ministria e Financave dhe Transfereve është duke e përpiluar një plan emergjent të ndërhyrjeve për ndërmarrjet dhe amvisëritë më të goditura. Njëkohësisht po punohet edhe në një mbështetje fiskale, menjëherë pas përfundimit të situatës, në mënyrë që sa më shpejt të ringjallet ekonomia”, thotë Kurti.

Asistenca sociale, benifitet

Familjeve që marrin ndihma sociale, të martën do t’ua transferojmë ndihmat sociale 10 ditë para kohe dhe atë për dy muaj në vijim. Me këtë pagesa e muajit të dytë nuk do të hyjë në përllogaritjet e muajve në vijim që do të thotë u falet përfituesve.

Të gjithë ato gra e burra që po e mundësojnë këtë, meritojnë shumë mirënjohje e shumë falënderime nga të gjithë ne. Natyrisht si ekonomia ashtu edhe amvisëritë dhe sektori publik do ta bartin bashkërisht barrën e kësaj krize. Por, kjo nuk është koha të flasim për çmimin. Është kohë solidariteti në shoqërinë tonë. Shëndeti i qytetarëve tanë është i paçmueshëm, përfundon ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *