LAJME

Kurti heq dorë nga citimi i Kushtetutës së Serbisë në komentet që ia ka dërguar Gjykatës

Kryeministri në Detyrë Albin Kurti ka hequr dorë nga citimi i Kushtetutës e Serbisë në komentet që ia ka drejtuar Kushtetueses. VV e kishte bërë këtë kur kërkoi masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për zbatimin e dekretit të Presidentit Thaçi, e i cili do të çonte në formimin e Qeverisë së re.

GazetaExpress ka siguruar edhe komentet e kryeministrit Kurti që i ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese e cila po e trajton lëndën e VV’së që sfidon dekretin e presidentit Thaçi që cakton mandatarin për formimin e Qeverisë së re.

VV kishte nxitur reagime të shumta kur në dokumentin që i dërgoi Gjykatës Kushtetuese me të cilën kërkonte masë të përkohshme kishte marrë si referencë Kushtetutën e Serbisë. VV kishte insistuar se citimi i Kushtetutës së Serbisë ishte për të treguar se ajo çfarë është duke bërë Thaçi gjendet pikërisht në Kushtetutën e Serbisë.

Siç dihet Kushtetuta e Serbisë e konsideron Kosovën pjesë të këtij vendi.

Sidoqoftë, në komentin drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Kurti nuk ka përmendur fare kushtetutën serbe – duke pranuar në këtë formë në mënyrë implicite se kishte bërë gabim kur në parashtrimin e ankesës kishte bërë analizën krahasimore edhe me shtetin serb. 

Por, edhe pa Kushtetutën Serbe në analizën krahasuese me vendet e tjera fqinje, si Shqipëria, Greqia, Maqedonia e Veriut etj. ai konstaton se “asnjëri prej këtyre rasteve nuk ka paqartësi kushtetuese lidhur me rolin e presidentit”.

Komenti nga Kurti – ashtu siç pritej – i kërkon Gjykatës Kushtetuese që ta deklarojë të pranueshme kërkesën e Vetëvendosjes për shpalljen e Dekretit të Presidentit në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kryeministri vazhdon të ngulmojë se Kushtetuta e Kosovës është përkthyer gabimisht në gjuhën angleze. Ai ka kontestuar konkretisht foljen “may”, e cila sipas tij është përkthyer sikur të ishte përdorur folja “can”.

“Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.” – thotë neni i Kushtetutës që kontestohet nga Kurti në gjuhën tonë amtare. Ndërkohë që folja “mund” sipas tij nuk shpreh mundësi që presidenti të zgjedh apo të mos zgjedh shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *