HOROSKOPI

Krejt çka ndodhi deri te votimi për shkarkimin e Trumpit

Donald Trump është bërë presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara që është shpallur fajtor nga Dhoma e Përfaqësuesve. Gjykimi i tij në Senat do të vendosë pastaj nëse ai do të mbetet në zyrë ose jo.

Dhoma, e kontrolluar nga demokratët, votoi për dy akuza kundër tij: abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Akuza e parë kaloi me 230 vota për dhe 197 kundër, ndërsa e dyta 229-198.

Gjatë kohës që u zhvillua votimi, Trump, i cili vjen nga Partia Republikane, iu adresua një tubimi në Miçigen:

“Derisa ne krijojmë vende pune dhe luftojmë për Miçigenin, e majta radikale në Kongres është prishur nga zilia, urrejtja dhe tërbimi. E shihni se çfarë po ndodh”, tha Trump.

Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë, duke thënë se presidenti është “i bindur se do të shfajëoshet plotësisht” gjatë gjykimit në Senat.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, nuk tha se kur do t’i dërgojë akuzat në Senat.

Gjatë debatit që i parapriu votimit, Pelosi tha se presidenti “nuk iu ka dhënë zgjidhje tjetër”.

“Për shekuj me radhë, amerikanët kanë luftuar dhe kanë vdekur për të mbrojtur demokracinë për njerëzit, por, fatkeqësisht, vizioni i themeluesit tonë për një republikë kërcënohet tani nga veprimet e Shtëpisë së Bardhë”, tha Pelosi.

Për çfarë akuzohet Trump?

Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e vitit 2020, dhe djalin e tij Hunter.

Hunter ka punuar për një kompani ukrainase, kur Joe Biden ka qenë nënpresident i SHBA-së.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.

Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.

Cilat janë provat kundër Trumpit?

Procedurat e shkarkimit kanë nisur në shtator, kur një informator – zyrtar i paidentifikuar i inteligjencës – ka ngritur një ankesë zyrtare, duke shprehur shqetësim për bisedën telefonike që Trump ka zhvilluar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, më 25 korrik.

Transkriptimi i bisedës ka zbuluar se Trump ka kërkuar nga Zelensky që Joe dhe Hunter Biden të hetohen për korrupsion.

Biseda është zhvilluar pasi Trump ka bllokuar lëshimin e miliona dollarëve ndihma për Ukrainën.

Ambasadori amerikan në Ukrainë, Bill Taylor, ka thënë më pas se presidenti e ka bërë të qartë se lëshimi i ndihmës do të bëhej me kusht që Biden të hetohej – edhe pse Shtëpia e Bardhë e mohon një gjë të tillë.

Çfarë thotë Trump?

Trump mohon se ka përdorur ndihmën ushtarake si pazar me Zelenskyn dhe në disa raste ka përsëritur se biseda e tij me udhëheqësin e Ukrainës ka qenë “perfekte”.

Hetimet kundër tij i ka cilësuar si “gjueti shtrigash” nga demokratët dhe disa media.

Ai po ashtu ka thënë se është dashur të kërkohet nga Ukraina që të hetojë “korrupsionin”, duke iu referuar firmës së energjisë, ku ka punuar Hunter Biden.

Presidentët që u përballën me procedura të shkarkimit

Kundër Bill Clintonit kanë nisur procedurat për shkarkim, për shkak të mashtrimit dhe pengimit të drejtësisë, pasi ka gënjyer për natyrën e aferës së tij me Monica Lewinskyn dhe më pas dyshohet se i ka kërkuar edhe asaj të gënjejë.

Por, kur gjykimi ka shkuar në Senat më 1999, votimi për dënim ka dështuar.

Presidenti tjetër që është përballur me procedura të shkarkimit, ka qenë Andrew Johnson, më 1868. Ai është akuzuar, mes tjerash, për shkarkimin e sekretarit të tij të luftës kundër vullnetit të Kongresit.

Johnson ka shpëtuar për pak, pasi dy të tretat e votave në Senat nuk janë arritur vetëm për një votë.

Richard Nixon, presidenti i 37-të i Shteteve të Bashkuara, ka dhënë dorëheqje më 1974, përpara se të mund të fajësohej nga Senati për skandalin e Watergate.

Çfarë është “impeachment”?

Procedura për shkarkimin e presidentit që në anglisht njihet si“impeachment” do të thotë të ngresh akuza në Kongres, që do të përbëjnë bazën për gjykim.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara thotë se një president largohet nga detyra për “tradhti, ryshfet, shkelje të rëndë ose kundërvajtje të tjera”.

Procedura për shkarkim zhvillohet në dy faza. Nis me seanca dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, nëse miratohet me shumicë të thjeshtë, procesi kalon në Senat, ku edhe mbahet gjykimi.

Në Senat, pastaj, duhen dy të tretat e votave për largimin e presidentit nga detyra dhe një gjë e tillë nuk është arritur kurrë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Senati aktualisht kontrollohet nga Partia Republikane, së cilës i përket edhe Trump.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *