LAJME

Konjufca: Presidenti nuk ka të drejtën e vetos për mos kthimin e ambasadorëve

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar sot se Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak nuk janë kombinimi i duhur i BE-së për të udhëhequr dialogun, pasi ata vijnë nga shtete që nuk e njohin Kosovën.

Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për punë të jashtme, kryediplomati kosovar arsyetoi propozimet për shkarkimet e ambasadorëve dhe konsujve, derisa paralajmëroi shkarkime tjera.

Ministri Konjufca tha se gjatë takimeve të tij me homologun sllovak, Miroslav Lajçak ia ka bërë të ditur qëndrimet e institucioneve kosovare, se ai nuk mund të jetë emisar për dialogun Kosovë-Serbi, dhe njëkohësisht për Bosnjën Hercegovinën.

“Ne nuk mund të përshëndesim faktin se zotëri Lajçak vjen nga një shtet jo njohës i Kosovës. Këtë nuk do të bëjë askush n ë Kosovë, as Qeveria e Ministria e Punëve të Jashtme. Unë mendoj që nuk është rrethanë lehtësuese për Kosovën që zotëri Lajçak është caktuar si i dërguar special…Ne themi që nuk mund të jetë kombinimi më e mirë edhe zotëri Borrell dhe Lajçak në krye të këtij procesi, sepse të dy vijnë nga shtete mos njohëse. E dyta, që nuk pajtohemi që kjo të shkojë bashkë me Bosnjën dhe Hercegovinën, pra emërimi që të përfshihet në një pako me Kosovën”, tha ai.

Konjufca tha se kanë qenë të detyruar të marrin vendim për të propozuar kthimin e gjashtë ambasadorëve, pasi sipas tij të gjithë kanë qenë në mënyrë të paligjshme.

Mbi këtë, ai tha se aktualisht në shërbimin diplomatik janë 70 për qind të emëruar politik dhe 30 për qind diplomat të karrierës.

“Jam detyruar që të marrë këtë vendim për dy arsye. E para për të vendosur një ligjshmëri brenda ministrisë. Ky i angazhimi im nuk përfundon vetëm me këto dy vendime. Këto janë vendimet e para të mija. Do të ketë edhe të tjera. Unë kam filluar vetëm prej atyre shkeljeve që janë më brutale. Që janë eksplicite në raport me ligjin, ne nuk kemi kaluar ende në një fazë të shqyrtimit se si diplomatë e kryejnë punën e tyre. Nuk e kemi bërë një vlerësim të punës, të mënyrës si performojnë…Tash për tash jemi në një gjendje ku rezultati është 70 për qind e shefave të misioneve diplomatike të Kosovës janë të emëruar politikë rreth 70 për qind, kurse 30 për qind janë të karrierës. Kjo për ne është problematike si përqindje, pasi situata është jashtë ligjit. Çka kërkohet është që të kthehet kjo situatë në kontroll dhe përputhje me ligjin. Këto vendime i kontribuojnë këtij qëllimi që të balancojmë”, tha ai.

Në lidhje me këtë reagoi ish-ministri, tashmë deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili i parashtroi pyetje ministrit Konjufca se, pse nuk i ka kthyer diplomatët që përflitet se janë nga radhët e LDK-së dhe nuk ka bashkëpunuar me presidentin Hashim Thaçi.

“Tek ambasadorët nuk mendoj që duhet të kthejmë në një betejë politike. Ka vende ku mundemi t’i themi opinionet tona, por jam i mendimit që është e udhës që para se të tërhiqet një ambasador të ftohet në takim. Besoj që zotëri Kiçmari e di. Ambasadori përfaqëson shtetit. Para se të përfaqësohet një ambasador të ketë një propozim të dytë. Nuk ka të bëjë me betejat tona politike. Por çfarë mesazhe i çon SHBA-së, Malit të Zi dhe çdo vendi tjetër nëse qeveria nuk e mbështet një ambasador, por presidenti nuk e tërheq. Pra, e kemi një situatë që realisht neve në raport me shtetet njohëse nuk na nxjerr si vend serioz. Te lista ne mund të debatojmë, por disa prej tyre janë në kohën kur kam qenë ministër. Ka ambasadorë të afërt me LDK, të cilët nuk i keni tërhequr”, tha ai.

Ministri Konjufca tha se edhe ish-deputetja e LDK-së, Teuta Sahatqija, e cila është konsull në Uashington, pritet të kthehet në Kosovë më 6 prill, kur edhe i skadon mandati. Ndërsa mbi bashkëpunimin me presidentin, Konjufca tha se ky i fundit duhet të përshëndesë vendimin e tij, pasi nuk ka të drejtën e vetos.

“Presidenti nuk ka të drejtën e vetos në këtë çështje. Kështu unë e lexoj frymën e ligjit. Nëse presidenti dëshiron të shkojë në Kushtetuese për këtë punë. Unë jam i gatshëm. E di që e dëmton shtetin e Kosovës, por e kisha ftuar presidentin mos ta dëmtojë shtetin e Kosovës”, u shpreh Konjufca.

Sa i përket vetos së mundshme të presidentit, deputeti i LDK-sà «, Arben Gashi e përkrahu ministrin Konjufca.

“Këtu u diskutua një lloj teorie e vetos e presidentit me tërheqje apo mos tërheqje. Mendoj që të drejtën e vetos nuk e ka askush mbi paligjshmërinë. Pra nëse qëndrimi atje është i paligjshëm, nuk ka të drejtën e vetos askush. Tërheqja si e drejtë e propozimit të ministrit, mendoj se është i arsyeshëm”, tha ai.

Ministri Konjufca gjatë raportimit në komision foli edhe për çnjohjet e reja dhe skandalin me shtetin e Xhamajkës. Për këtë të fundit tha se ka pasur vetëm një zotim, derisa ky është marrë si i vërtetë dhe se nuk është kontrolluar.

Ndërsa theksoi se Serbia po e shfrytëzon dialogun me Kosovën në këto shtete, duke thënë se është duke diskutuar mbi statusin e saj.

“Për herë të parë në historinë e Kosovës prej 17 shkurtit të viti 2008 i është komunikuar presidentit të Kosovës një lajm i cili është marrë si vërtet. Por nuk është kontrolluar dhe i cili na ka shkaktuar probleme, sepse është hera e parë që një formë e tillë jepet pa e pasur notën verbale. Kjo është shumë problematike”, tha ai.

Përkundër se ka propozuar për shkarkim, Konjufca tha se ka komunikuar dy herë dje me ambasadoren në SHBA Vlora Çitaku mbi deklarimet e zyrtarëve amerikanë për tërheqjen e trupave nga Kosova.

Ai mes tjerash, deklaroi se nuk e ndan mendimin e njëjtë me ministrin e Integrimeve Evropiane, Blerim Reka që si kompensim Serbisë t’i lejohet qasja për në daljen e detit Adriatik.

Ndërsa, për aplikimin në Këshillin e Evropës, Konjufca tha se duhet të hartohet një strategji, por theksoi se anëtarësimi po has në probleme për shkak të Gjykatës Speciale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *