LAJME

Hyn në fuqi vendimi për ndalimin e udhëtimeve nga Evropa në ShBA

Ka hyrë në fuqi vendimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ndalimin e udhëtimeve nga 26 shtete evropiane drejt ShBA-së. Ky vendim është pjesë e masave për ta luftuar përhapjen e koronavirusit.

Në këtë masë përfshihen shtetet që janë anëtare të Zonës Schengen, ndërsa përjashtohen Mbretëria e Bashkuar, Republika e Irlandës dhe qytetarët amerikanë që dëshirojnë të kthehen në atdheun e tyre.

Presidenti amerikan gjithashtu e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke i vënë automatikisht në dispozicion 50 miliardë dollarë për nevojat e institucioneve të ndryshme, të cilat janë të përfshira në luftën kundër virusit Covid-19.

Deri më tani, në Shtetet e Bashkuara janë konfirmuar gati dy mijë raste të infektimeve me virusin e ri, ndërsa 43 persona kanë vdekur.

Administrata e presidentit Trump është përballur me kritika për dështimin e ofrimit të testimit për koronavirus, shkruan “BBC”.

Ndryshe, autoritetet amerikane e thirrën në raportim ambasadorin kinez në Shtetet e Bashkuara për të protestuar në lidhje me komentet e një diplomati kinez, i cili deklaroi se koronavirusi mund të jetë sjellë në Kinë nga ushtria amerikane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *