SPORT

Conte: Patëm mundësi ta mposhtim Barcelonën

Trajneri Antonio Conte e ka fajësuar mungesën e saktësisë së Interit para portës kundërshtare për disfatën me rezultat 2:1 kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve, mirëpo ai insistoi se nuk ka asnjë ankesë pasi skuadra e tij u eliminua nga gara.

Skuadra e Antonio Contes, që luajti kundër Barcelonës në San Siro, duhej të siguronte rezultat të njëjtë me atë të Borussia Dortmundit kundër Slavia Prague për ta zënë një vend në mesin e 16 klubeve të kualifikuara nga faza e grupeve të Championsit, transmeton Gazeta Express.

Kampionia në fuqi e Spanjës e ndryshoi një pjesë të madhe të formacionit, pasi që veçse e kishte siguruar kualifikimin në fazën eliminatore. Megjithatë, katalonasit arritën ta mposhtin Interin me rezultat 2:1.

Barcelona fillimisht kaloi në epërsi përmes një goli të shënuar nga Carles Perez në minutën e 23-të të ndeshjes, ndërsa Lukaku e barazoi rezultatin pak para se të përfundonte pjesa e parë. Megjithatë, shpresat e Interit i shoi 17-vjeçari Ansu Fati, i cili u bë golashënuesi më i ri në histori të Ligës së Kampionëve.

Kjo disfatë dhe fitorja e Dortmundit me rezultat 2:1 kundër Slavias bënë që Interi të eliminohet nga Liga e Kampionëve dhe të kthehet në Ligën e Evropës.

“Ne i patëm mundësitë për ta fituar ndeshjen, i krijuam rastet, mirëpo na mungoi ajo saktësia e rëndësishme për t’i konvertuar ato raste në gola”, u shpreh Conte në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

“Nuk kam asnjë ankesë, pasi që lojtarët e mi dhanë gjithçka nga vetja. Neve thjesht na mungoi një gol dhe pastaj pranuam gol në qoshen tjetër dhe ishim në deficit 2:1, që na shkatërroi me të vërtetë”.

“Unë u zhgënjeva edhe për tifozët në San Siro, pasi që ata na nxitën që nga fillimi e deri në fund dhe e krijuan një atmosferë të mrekullueshme. Duhet të kishte përfunduar ndryshe”.

“Mendoj se merituam më shumë nga ky grup. Por, mendoj se është një përvojë e vlefshme. Ne dëshironim të kualifikohemi, kështu që është zhgënjyese për të gjitha tani. Por, siç u thashë atyre, duhet ta ngremë kokën lart sërish”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *